Përfaqësuesi i Kryesimit të radhës të OSBE-së, zëvendësministri i punëve të jashtme të Austrisë Michael Linhart viziton Misionin e OSBE-së në Kosovë
PRISHTINË, 24 maj 2017 - Michael Linhart, përfaqësuesi austriak i Kryesimit të radhës të OSBE-së dhe zëvendësministër i punëve të jashtme të Austrisë vizitoi sot Misionin e OSBE-së në Kosovë.
Linhart u prit nga Shefi i Misionit Ambasadori Jan Braathu dhe menaxhmenti i lartë, të cilët e informuan atë për aktivitetet e Misionit.
“Misioni i OSBE-së në Kosovë ka qenë partner shumë i rëndësishëm në përpjekjet reformuese gjatë 18 viteve të kaluara. Me përvojën dhe ekspertizën që ka, Misioni ndihmon institucionet të arrijnë progres të konsiderueshëm. Misioni e ka përkrahjen e plotë të kryesimit Austriak të radhës të OSBE-së”, theksoi Linhart.
Në veçanti, ai iu referua punës së bërë nga Misioni në fushat si mbrojtja e të drejtave të komuniteteve dhe mbrojta e trashëgimisë kulturore dhe fetare, promovimi i të drejtave të njeriut dhe sundimi i ligjit, si dhe funksionimi i institucioneve demokratike dhe pjesëmarrja civile në vendimmarrje.
Linhart foli për prioritetet e Kryesimit të radhës dhe ndikimin e tyre në punën e Misionit. “Siç e dini, ne dëshirojmë t’i bashkojmë forcat tona në luftimin e radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Kërcënimi në rritje në sigurinë vendore që vjen nga radikalizimi, kryesisht i të rinjve, përbën rrezik të menjëhershëm për të gjithë hapësirën e OSBE-së. Prandaj, në veçanti mirëpres punën që Misioni e kryen në parandalimit e ekstremizmit të dhunshëm në mesin e të rinjve dhe i përgëzojë autoritetet në Prishtinë për reagimin e tyre të fuqishëm për t’u ballafaquar me këtë problem”, nënvizoi Linhart.
Lidhur me zgjedhjet e ardhshme të 11 qershorit, Ambasadori Braathu informoi për përkrahjen e mëparshme të OSBE-së në lehtësimin e zgjedhjeve për komunitetet joshumicë. Linhart nënvizoi: “Kjo është, pa dyshim, një nga storiet më të dukshme dhe të prekshme të suksesit të Misionit. Unë vetëm mund të përgëzoj Ambasadorin Braathu dhe ekipin e tij për mënyrën pragmatike dhe fleksibile që bëri të mundur asistimin gjatë zgjedhjeve të kaluara. Kam besim që Misioni do të jap përsëri kontribut të rëndësishëm më 11 qershor”.