Vullneti politik, i nevojshëm për të rritur numrin e grave në udhëheqje, thotë Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri
TIRANË, 11 shkurt 2013 – Fuqizimi i politikaneve shqiptare për të garuar për pozicione drejtuese në zgjedhjet parlamentare të 2013-s është synimi kryesor i një veprimtarie dyditore të organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (OSBE/ODIHR), që nisi sot në Tiranë.
“Numri i grave në poste drejtuese politike mbetet ende i ulët. Ndryshimet që iu bënë Kodit Zgjedhor, në vitin 2012, mund t’i rrisin mundësitë e grave për t’u zgjedhur”, theksoi Kryetari i Prezencës së OSBE-së, Ambasadori Eugen Wollfarth, duke shtuar se “për këtë nevojitet vullnet politik, por ai shpesh mungon”.
Ai tha se rritja e pjesëmarrjes së grave në jetën publike dhe politike në Shqipëri është një qëllim afatgjatë i Prezencës së OSBE-së.
Veprimtaria mbledh deputete, kryetare bashkish e komunash dhe aktiviste të tjera të partive të ndryshme politike. Ato do të përvetësojnë aftësitë për të forcuar pozitat e tyre si përfaqësuese të publikut në strukturat qeverisëse, për të bërë fushatë, për të komunikuar e për të trajtuar çështjet e ndjeshme gjinore.