Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mundëson ndjekjen e shkollës nga fëmijët romë
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri siguroi që 160 fëmijë romë në qytetin e Fushë-Krujës të mund të vazhdojnë arsimimin e tyre këtë vit shkollor, duke mbuluar shpenzimet e qirasë, pasi shkolla është vendosur në mjedise private, si dhe dhuroi 170 libra dhe tre kompjuterë.
Duke vizituar shkollën, më 15 dhjetor 2011, Kryetari i Prezencës, Ambasadori Eugen Wollfarth tha: “E drejtën për arsimim është një prej elementeve më themelore të respektimit të të drejtave të pakicave. Jemi të bindur se arsimimi është një prej faktorëve kryesorë për të shpërbërë atë që mund të konsiderohet edhe si rrethi vicioz i margjinalizimit të romëve. Përmes arsimimit, fëmijët mund të pajisen me instrumentet e nevojshme për të kërkuar një të ardhme më të mirë, duke arritur kështu integrimin e plotë të romëve në shoqëri”.
Të pranishëm në veprimtari ishin edhe Kryetari i Bashkisë së Fushë-Krujës, Gjon Bardhi, Prefekti i Durrësit, Genc Alizoti, Kryetarja e Këshillit të Qarkut, Eglantina Begteshi, si dhe Drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale të Durrësit, Filip Gjonçi.
Ambasadori Wollfarth shtoi se integrimi i plotë i romëve në shoqëri do të nisë të bëhet realitet vetëm atëherë kur fëmijët romë do të shkollohen së bashku me bashkëmoshatarët e tyre jo-romë. “Me synimin për ta luftuar këtë ndarje faktike dhe për të vënë në jetë plotësisht qëllimet e Strategjisë Kombëtare për Përmirësimin e Kushteve të Jetesës së Minoritetit Rom si dhe objektivat e nismës për Dekadën e Përfshirjes së Romëve, pjesë e së cilës është edhe Shqipëria, nxisim të gjithë faktorët për të bërë të mundur që nxënësit romë të kësaj qendre të regjistrohen pranë shkollave të rregullta për vitin e ardhshëm shkollor”, tha ai.
Ai theksoi mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës për vënien në zbatim të politikave për integrimin e plotë të fëmijëve Romë në shkollat e rregullta.