Prezenca e OSBE-së organizoi shkollën verore për gratë në qeverisje
Projekti “Rritja e Rolit të Grave në Qeverisje” i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri organizoi në Durrës, në datat 12-14 Shtator 2011, një shkollë verore për gratë e zgjedhura si këshilltare bashkiake dhe komunale në zgjedhjet vendore të 8 Majit. Në këtë veprimtari morën pjesë më shumë se 70 gra këshilltare nga mbarë vendi dhe nga të gjitha krahët e spektrit politik.
Falë shkollës verore këshilltaret patën një mundësi të mirë për të përvetësuar aftësi të reja si dhe për të ndarë me njëra-tjetrën përvojat dhe mësimet e fituara.
Kjo nismë kishte për synim të rriste aftësitë e pjesëmarrësve për të ushtruar mandatet e tyre si dhe për t’u siguruar atyre instrumentet e nevojshme për integrimin gjinor në politikat vendore me qëllim ofrimin e shërbimeve publike optimale komuniteteve lokale.
Kurset u zhvilluan nën drejtimin e një ekipi trajnerësh ndërkombëtarë e vendas, të asistuar nga personeli i Prezencës si dhe nga persona me përvojë në këtë fushë, përfshirë këtu këshilltare vendase më përvojë që përfaqësonin parti të ndryshme politike dhe që kishin shërbyer në këtë post për disa mandate radhazi. Gjithashtu të pranishme ishin disa këshilltare bashkiake nga qyteti i Röthenbach an der Pegnitz, Gjermani, të cilat kanë marrë pjesë në veprimtari të mëparshme të mbajtura në kuadrin e Projektit “Rritja e Rolit të Grave në Qeverisje”.
“Për sa i përket rritjes së pjesëmarrjes të grave në jetën publike dhe politike, një sfidë e vazhdueshme mbetet ndryshimi i qëndrimit të partive politike dhe strukturave të tyre drejtuese të mbizotëruara nga meshkujt, si dhe ngritja e kapaciteteve të përfituesve,” tha Ambasadori Eugen Wollfarth, Kryetari i Prezencës së OSBE-së. “Për të arritur përfaqësim domethënës gjinor në të gjithë organet legjislative, gjyqësore dhe ekzekutive nevojitet një zbatim më i mirë dhe mundësisht ndryshime të Kodit Zgjedhor dhe të legjislacionit përkatës, përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013.”
“Rritja e Rolit të Grave në Qeverisje” është një projekt 3-vjeçar që përfundon në muajin Dhjetor të këtij viti. Është një projekt që po implementohet nga Prezenca i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA).