Deklaratë e përbashkët e ambasadorëve të OSBE-së, SHBA-së dhe BE-së në Shqipëri
TIRANË, 17 maj 2011 – Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alexander Arvizu dhe Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian, Ettore Sequi deklaruan sot së bashku:
Më shumë se një javë ka kaluar që kur një numër i madh votuesish në Tiranë votuan për postin e kryetarit të bashkisë, më 8 maj.
Qytetarët duan dhe meritojnë qartësi rreth rezultatit të zgjedhjeve.
Është thelbësore që rezultatet zyrtare paraprake të hidhen në tabelë me kujdes nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe të shpallen me shpejtësi.
Po ashtu, është tejet e rëndësishme që procedurat për zgjidhjen e ankesave të jenë të qarta dhe të jenë në përputhje të plotë me dispozitat ligjore të Shqipërisë, përfshirë Kodin Zgjedhor.
Ne presim që të dyja palët të ushtrojnë vetëpërmbajtje dhe të respektojnë plotësisht procesin demokratik.