Prezenca e OSBE-së dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi diskutojnë mënyrat e zvogëlimit të diskriminimit në shkollë
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe institucioni i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD) mbajtën të hënën, më 11 prill 2011, një takim, ku diskutuan se si mund të pakësohet diskriminimi nëpër shkolla.
Kryetari i Prezencës, Ambasadori Eugen Wollfarth dhe Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Irma Baraku, morën pjesë në këtë veprimtari, e cila u organizua në kuadër të bashkëpunimit të Prezencës me Komisionerin për të rritur ndërgjegjësimin për diskriminimin, veçanërisht te nxënësit dhe mësuesit.
Gjatë veprimtarisë, u përurua një ekspozitë me vizatime dhe krijime poetike të nxënësve 10-15 vjeçarë mbi temën e diskriminimit. Juria u dha çmime disave prej tyre. Punimet artistike do të botohen në një broshurë, e cila do të shpërndahet më pas në shkollat nëntëvjeçare.
Në takim, një psikologe paraqiti një panoramë se si fëmijët e perceptojnë diskriminimin, duke shtuar se çfarë mund të bëhet për ta pakësuar akoma më shumë diskriminimin. Dy ekspertë në fushën e antidiskriminimit, gjithashtu, folën se si zbatohet te nxënësit ligji “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi”.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri punon për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për çështjet e diskriminimit. Prezenca ka ndihmuar Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi që prej shkurtit 2010, kur Kuvendi i Shqipëri miratoi ligjin “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi”, sidomos me mbështetjen e krijimit të faqes në internet të Komisionerit.