Kryetari i OSBE-së, Ambasadori holandez vizitojnë Kuvendin për të shënuar një moment historik në projektin e mbështetjes për parlamentin
Kryetari i Prezencës së OSBE-së Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, dhe Ambasadori i Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, Henk van den Dool, vizituan Kuvendin shqiptar më 5 prill 2011. Ata u pritën nga Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli për të shënuar përfundimin e fazave të financuara nga Holanda (2002-2010) të projektit në mbështetje të parlamentit zbatuar nga Prezenca.
Topalli e vlerësoi projektin për ndihmën që ka dhënë në rritjen e transparencës dhe efiçencës së veprimtarive të Kuvendit. Ajo tha se kjo ndihmë ka çuar në shndërrimin e Kuvendit në model transparence dhe modernizimi për gjithë institucionet e vendit.
Veprimtaritë e Kuvendit përfshinin punën me personelin e Kuvendit për të rritur njohjen nga ana e tyre të procesit të integrimit në BE dhe marrëdhëniet midis legjislacionit shqiptar dhe acquis-së së Komunitetit të BE-së, si edhe për të rritur aftësitë e tyre të menaxhimit, përdorimit të teknologjisë së informacionit dhe gjuhës angleze. Projekti kishte për qëllim forcimin e strukturave parlamentare dhe përmirësimin e komunikimit midis Kuvendit dhe publikut. Biblioteka e Kuvendit u zgjerua me rreth 500 tituj të rinj dhe u krijuan hapësira të reja leximi dhe studimi si për deputetët, ashtu edhe për punonjësit e Kuvendit.
Në kuadër të projektit u vendos edhe një rrjet i teknologjisë së informacionit i cilësisë së lartë, i cili përmbush standardet e parlamenteve të tjera evropiane. Kjo i ka dhënë mundësi Kuvendit që t'i transmetojë seancat plenare online, si dhe të vërë në dispozicion transkriptimin fjalë-për-fjalë të seancave dhe proces-verbalet e komisioneve të përhershme shumë shpejt pas mbledhjeve dhe seancave dëgjimore.
Ambasadori Wollfarth bëri të ditur gjatë vizitës së mbështetja e Prezencës për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2011, duke u përqendruar në forcimin dhe modernizimin e strukturave të larta të menaxhimit dhe vendim-marrjes, promovimin e transparencës dhe saktësisë së informimit, forcimin e rolit pjesëmarrës të deputetëve dhe grupeve të interesit përmes përmirësimeve të Rregullores dhe ndihmës për komisionet e përhershme, si dhe në lehtësimin e bashkëpunimit rajonal në nivel deputetësh dhe punonjësish. Prezenca ka realizuar veprimtari në mbështetje të modernizimit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë që nga muaji janar i vitit 2002.