Prezenca e OSBE-së bën thirrje për më shumë kandidate gra në zgjedhjet e ardhshme lokale
TIRANË, 7 MARS 2011 – 8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Grave, dhe zgjedhjet e ardhshme vendore ofrojnë një mundësi të mirë për të theksuar mbështetjen tonë të vazhdueshme për nxitjen e barazisë gjinore, tha sot Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Ambasadori Eugen Wollfarth.
“Unë besoj fuqimisht se pjesëmarrja aktive e grave në jetën publike dhe politike të vendit është me rëndësi të madhe për një shoqëri demokratike, moderne dhe paqësore,” u shpreh Wollfarth. “Gratë shqiptare, duke qenë një përbërës i rëndësishëm i shoqërisë shqiptare, duhet të jenë po ashtu pjesë e pandashme e qeverisjes dhe proceseve demokratizuese në vend.”
“Është e rëndësishme t’u ofrohet e gjithë mbështetja e mundshme kandidateve gra, sikurse është me rëndësi zbatimi në praktikë i kuotave gjinore prej 30 për qind,” theksoi ai. Një nga përfundimet e një projekti trevjeçar për rritjen e rolit të gruas në qeverisje është se gratë anembanë vendit dëshirojnë të kandidojnë në zgjedhje dhe të votojnë. Ky është një përfundim i rëndësishëm i projektit të administruar nga Prezenca e OSBE-së dhe të bashkëfinancuar nga Vendet e Ulëta dhe Suedia,” shtoi Wollfarth.
Pavarësia gjinore është një angazhim i rëndësishëm i OSBE-së. Akti Final i Helsinkit e nënvizon respektin për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore pa dallim gjinie si një nga parimet kyçe të OSBE-së. Më 2004, të gjitha shtetet pjesëmarrëse përtëritën angazhimin e tyre për barazinë gjinore duke deklaruar se “të drejtat e barabarta mes grave dhe burrave dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut janë thelbësore për paqen, demokracinë e qëndrueshme dhe zhvillimin ekonomik, dhe si rrjedhojë për sigurinë dhe stabilitetin në zonën e OSBE-së”.