Çështjet e medias diskutohen në Forumin e dytë vjetor për Zhvillimin e Medias të organizuar nga Prezenca e OSBE
Gazetarë, deputetë, përfaqësues dhe ekspertë të shoqatave të medias diskutuan çështjet kryesore në lidhje me median shqiptare në Forum e dytë për Zhvillimin e Medias të mbajtur më 22 nëntor në Tiranë.
Forumi, i cili është tashmë mbledhja më e madhe kushtuar zhvillimit të medias, organizohet nga Prezenca e OSBE në Shqipëri, në bashkëpunim të ngushtë me pjesëtarët e Grupit të Partnerëve të Medias, i cili është një bashkim organizatash vendore dhe ndërkombëtare që merren me median i krijuar me iniciativën e Prezencës.
Forumi i këtij viti u përqendrua në zhvillimet dhe nismat ligjore lidhur me lirinë e medias, si dhe në standardet e gazetarisë profesionale dhe nivelin e edukimit mediatik në vend. Një sesion i veçantë iu kushtua transformimit të transmetuesit publik shqiptar në një transmetues kombëtar llogaridhënës, të pavarur dhe të qëndrueshëm. Po ashtu, pati diskutime rreth rolit të medias në proceset zgjedhore, transparencës dhe qasjes në informacion duke pasur parasysh zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm.
“Profesionalizmi i medias, balanca dhe pavarësia në mbulimin e zgjedhjeve janë parakusht për zgjedhje demokratike”, tha Kryetari i Prezencës së OSBE në Shqipëri, Ambasadori Bernd Borchardt. “Ne jemi të shqetësuar për praktikën e përhapur gjerësisht ne Shqipëri të transmetimit të produkteve të partive politike, në vend të raportimit të paanshëm mbi fushatat politike. Të ashtuquajturat “kasetat e partive” duhet të transmetohen vetëm si pjesë e programeve që etiketohen qartë si marketing politik. Nuk e theksoj dot mjaftueshëm që asgjë nuk mund të zëvendësojë një mbulim mediatik të prodhuar në mënyrë autentike dhe të pavarur”.
Borchardt po ashtu theksoi se kodi i punës në fuqi duhet të zbatohet nga të gjitha organizatat mediatike.
Pjesëmarrësve iu drejtuan edhe Ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike Milena Harito, Kryetari i Komisionit kuvendor për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik Genc Pollo, dhe Kryetarja e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ambasadorja Romana Vlahutin.
Pjesëtarët e Grupit të Partnerëve të Medias që ndihmuan për organizimin e forumit janë Instituti Shqiptar i Medias, Shoqata e Gazetarëve Profesionistë, Autoriteti i Mediave Audiovizive, Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), Këshilli i Etikës, Departamenti i Gazetarisë dhe i Komunikimit në Universitetin e Tiranës, transmetuesi publik shqiptar (RTSH), Instituti për një Shoqëri të Hapur, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, si dhe nga Delegacionit i Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe Zyra e Këshillit të Evropës në Tiranë.