Fuqizimi i të rinjve është kyçi i luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm, thonë pjesëmarrësit e konferencës së organizuar nga OSBE-ja në Shqipëri
Parandalimi dhe lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm në Shqipëri ishin në fokus të një konference të organizuar nga OSBE-ja për njëqind përfaqësues të komuniteteve fetare, agjencive të qeverisjes vendore dhe qendrore, shoqërisë civile dhe studentë, mbajtur më 12 tetor 2016 në Elbasan.
Qëllimi i konferencës së organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri në bashkëpunim me Myftininë dhe me bashkinë e Elbasanit ishte që të mblidhte së bashku komunitetet e ndryshme të rajonit të Elbasanit për të prezantuar mënyra të reja të trajtimit të këtij fenomeni që në rrënjë.
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt, tha se ndonëse Elbasani dhe Shqipëria, në përgjithësi, kanë një traditë të tolerancës fetare për t’u krenuar, ka pasur ndikime që kanë mbërritur edhe në këtë vend, që dëmtojnë këtë traditë si dhe vlerat e OSBE-së. “Ne duhet të ngrihemi që të gjithë kundër thirrjes shkatërruese të ekstremizmit të dhunshëm, duke promovuar tolerancën, respektin reciprok, pluralizmin, gjithëpërfshirjen dhe kohezionin”, tha ai.
Skënder Bruçaj, Kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, tha: “Është detyra jonë t’u ofrojmë të rinjve modele pozitive. Ne duhet, gjithashtu, të promovojmë respektin për njëri-tjetrin, vlerat e përbashkëta dhe harmoninë fetare e të investojmë për mirëqenien tonë të përbashkët. Nuk mund të gjejmë një zgjidhje konkrete, nëse nuk punojmë bashkë.”
Sandër Lleshi, Këshilltari i Kryeministrit për Sigurinë Kombëtare, theksoi domosdoshmërinë e një veprimi të bashkërenduar e në kohë të aktorëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë kundër ndikimit negativ të ekstremizmit të dhunshëm.
Pjesëmarrësit ranë dakord se një vëmendje e veçantë i duhet kushtuar fuqizimit të të rinjve, duke qenë se ata mund të luajnë një rol vendimtar për të parandaluar radikalizimin e njerëzve të tjerë dhe drejtimin e tyre tek ekstremizmi i dhunshëm si një zgjidhje për sfidat me të cilat përballet komuniteti.
Kjo konferencë u zhvillua në mbështetje të rezultateve të një veprimtarie të nivelit të lartë, që u mbajt në Durrës, në muajin shtator, ku profesionistë dhe studiues të më shumë se 30 vendeve diskutuan mbi çështje që lidhen me luftëtarët e huaj terroristë dhe rrugët e paligjshme të migrimit. Veprimtaria u organizua bashkërisht nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, Kryeministria dhe Shërbimi Informativ Shtetëror, me mbështetjen e Qendrës George C. Marshall dhe me Konsorciumin Partneritet për Paqe.