Nxënës të shkollave të mesme përurojnë ekspozitën kundër dhunës në familje në kuadrin e fushatës së Prezencës së OSBE-së në Shqipëri
Një ekspozitë me piktura, fotografi, instilacione, poezi dhe shkrime, fryti i punës krijuese të nxënësve të Gjimnazit “Petro Nini Luarasi” në Tiranë, u përurua më 24 Maj 2016 në kryeqytet nga nxënës të shkollave të mesme dhe nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri.
Ekspozita, e cila u hap nën sloganin #MosHesht, përbën vazhdimin e një fushate kundër dhunës në familje të nisur nga Prezenca e OSBE-së katër vjet më parë në Tiranë, për t’u shtrirë më pas në qytete të tjera si Korça, Elbasani dhe Gjirokastra, duke mbledhur së bashku Policinë e Shtetit, shoqërinë civile, qytetarët e thjeshtë dhe rininë, për të diskutuar rreth këtij fenomeni si dhe për t’iu kundërvënë atij.
Një numër më i lartë rastesh të dhunës në familje është raportuar pranë Policisë së Shtetit qysh prej fillimit të kësaj fushate, çka tregon rritjen e ndërgjegjësimit të opinionit publik rreth këtij problemi dhe një besim të shtuar tek autoritetet. Sipas të dhënave statistikore, mesatarisht 15 gra vdesin në vit për shkak të dhunës në familje, ndërsa dhuna në familje përbën 60% të krimeve kundër personit të raportuara në Shqipëri.
“Angazhimi qytetar ka të bëjë jo vetëm me identifikimin e çështjeve që ngjallin shqetësim publik, por mbi të gjitha ka të bëjë me qytetarët që punojnë për t’i dhënë zgjidhje këtyre çështjeve në një mënyrë konstruktive. Ka të bëjë me veprime praktike”, tha në hapje të ekspozitës Zëvendëskryetari i Prezencës së OSBE-së Robert Wilton. “Ju vepruat. Ju bëtë tuajin sloganin e fushatës #MosHesht. Ju reaguat përmes pikturave, fotografive dhe poezive tuaja duke ndarë kështu një mesazh të qartë me bashkënxënësit tuaj, me ne dhe me mbarë shoqërinë. Ky është një shembull i shkëlqyer i atij angazhimit qytetar, i cili i nevojitet një demokracie që kjo të lulëzojë”.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, i lavdëroi nxënësit për ekspozitën duke thënë se përmes saj po ndihmojnë për ndërgjegjësimin e qytetarëve rreth problemeve, me të cilat ballafaqohen viktimat e dhunës në familje. Ai tha se besimi në Policinë e Shtetit është në element thelbësor në zgjidhjen tërësore të problemit.
Kjo veprimtari u zhvillua në kuadrin e fushatave të vazhdueshme të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri kundër dhunës në familje. Po ashtu, Prezenca ka punuar fuqishëm për forcimin e kapaciteteve të Policisë së Shtetit në luftë kundër këtij fenomeni përmes programeve të vazhdueshme të trajnimit.