Prezenca e OSBE-së në Shqipëri prezanton programin sportiv për zhvillimin e rinisë
TIRANË, 9 maj 2016 - Prezenca e OSBE-së në Shqipëri prezantoi sot një program sportiv për zhvillimin e rinisë, në bashkëpunim me Klubin e Regbisë Tirana, me qëllim që të nxitë punën në grup, etikën sportive, frymën e shoqërisë dhe ndjesinë e përkatësisë te të rinjtë, duke i ndihmuar të kuptojnë se gjithmonë ekzistojnë alternativa pozitive ndaj sjelljeve antishoqërore dhe kriminalitetit.
Programi sportiv i Prezencës për zhvillimin e rinisë do të bazohet në suksesin e Klubit të Regbisë Tirana, me synimin që të ndihmojë në shtimin e të rinjve që merren me regbi dhe të promovojë aspektet ndërkomunitare dhe ndërkufitare të sportit, duke bashkuar të rinj nga e gijthë Shqipëri dhe nga rajoni për veprimtari stërvitore dhe turne.
Aktualisht, mundësitë që të rinjtë të merren me aktivitete ndërvepruese, si sporti, jashtë mjediseve të shkollës, janë të pakta. Klubi i Regbisë Tirana në veprimtaritë e veta ka angazhuar të rinjtë, përfshi edhe ata nga kategoritë e cenueshme (p.sh. të papunët dhe/ose ata që kanë braktisur shkollën). Pavarësisht vështirësive me financimin, Klubi ka mbështetur evenimente, ku garojnë rregullisht ekipe nga Shqipëria e rajoni.
"Zhvillimi i regbisë si sport në Shqipëri është relativisht i ri, por jo interesi dhe angazhimi që kanë shfaqur shumë të rinj në një periudhë kaq të shkurtër", tha Kryetari i Prezencës së OSBE-së, Florian Raunig. "Si rezultat, një ekip çoi në krijimin e një ekipi të dytë. Prandaj sot paraqesim Klubin e Regbisë Tirana dhe Klubin e Regbisë Ilirët, të cilët mbajnë veshur ngjyrat e klubeve të reja".
Pajisjet sportive u siguruan nga Prezenca e OSBE-së. Në muajt e ardhshëm, të dy ekipet do të ndeshen në Elbasan, Korçë dhe Durrës, në një sërë ndeshjesh miqësore, për të rritur vizibilitetin dhe interesin për këtë sport.
Prezenca do të mbështetë autoritetet vendore, përfshirë policinë, shërbimet sociale dhe drejtoritë arsimore rajonale, që të përfshijnë drejtëpërdrejt të rinjtë në aktivitete. Planifikimi dhe bashkërendimi i veprimtarive do të realizohet në mënyrë të tillë që edhe vajzat të angazhohen në mënyrë të barabartë.
Trajneri i Zhvillimit të Regbisë në Shqipëri, Adam Vernon, tha: "Falënderojmë Prezencën e OSBE-së për mbështetjen e saj dhe jemi të emocionuar për mundësinë që na jep kjo nismë. Kemi plot shembuj pozitivë të angazhimit të të rinjve në Shqipëri dhe shpresoj të nxitim zhvillimin e sportit në shumë komunitete vendore, në muajt në vijim. E ardhmja e këtij sporti në Shqipëri është e ndritshme. Ne do ta mbajmë uniformën me krenari, që ta lartësojmë këtë lojë që të gjithë e adhurojmë”.