Prezenca e OSBE-së përkujton Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, më 7 dhjetor 2015, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi një veprimtari në Tiranë me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë shtetërorë, institucioneve partnere, trupit diplomatik, përfaqësuesve të medias dhe të shoqërisë civile, ku u theksua lidhja mes të drejtave të njeriut dhe sigurisë dhe u nderua kontributi i Koalicionit Kombëtar të Strehëzave Antitrafikim.
Kryetari i Prezencës, ambasadori Florian Raunig tha se të drejtat e njeriut qëndrojnë në thelb të konceptit të OSBE-së për sigurinë gjithëpërfshirëse.
“Nevojitet një ambient i sigurt për të mbrojtur plotësisht të drejtat e njeriut”, tha ai. “Për këtë arsye, Prezenca e OSBE-së investon thellësisht për reformën në sektorin e sigurisë dhe se përse bashkëpunojmë ngushtë me Ministrinë e Mbrojtjes”.
Ministrja Kodheli tha se Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut ishte një prej arritjeve më të mëdha të njerëzimit, shekullin e kaluar, dhe shtoi se gjatë viteve ’90 Shqipëria kishte një bindje të qartë për t’iu bashkuar sa më shpejt familjes së cilës i përkiste dhe së cilës i kishte munguar për dekada me radhë.
“OSBE-ja vazhdon të luajë një rol thelbësor në të ardhmen paqësore të hapësirës tonë, ndaj ne të gjithë presim një rol më konkret, më të fortë, më vendimmarrës të OSBE-së në shërbim të paqes, bashkëpunimit dhe sigurisë”, tha Kodheli.
Në këtë veprimtari, ambasadori Raunig shpalli edhe fituesin e çmimit të tretë vjetor të Prezencës së OSBE-së, i cili iu dha Koalicionit Kombëtar të Strehëzave Antitrafikim për kontributin e tyre të spikatur në përmbushjen e qëllimeve më të gjera humanitare dhe të sigurisë të mandatit të OSBE-së në Shqipëri.
“Ky çmim i jepet Koalicionit Kombëtar si mbështetje për kontributin heroik në luftën ndaj trafikimit të personave në Shqipëri, dhe sepse ka qenë në vijën e parë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të viktimave të këtij krimi të urryer”, tha ambasadori Raunig. “Gjithashtu, ky çmim është vlerësim për shembullin shumë pozitiv të bashkëpunimit në këtë koalicion, që përfshin partnerë nga shoqëria civile dhe shteti”.
Koalicioni Kombëtar, i cili përbëhet prej tri strehëzave të drejtuara nga OJF dhe një strehëze shtetërore, u krijua në vitin 2007. OJF-të “Të ndryshëm por të barabartë” në Tiranë, “Vatra” në Vlorë, “Tjetër Vizion” në Elbasan, së bashku me qendrën pritëse shtetërore, e njohur si “Linza”, ndajnë qëllimin e përbashkët për t’u dhënë mbrojtje, mbështetje, rehabilitim dhe riintegrim të grave dhe fëmijëve që kanë rënë viktimë e trafikimit njerëzor.
Që prej vitit 1997, këto katër strehëza kanë ndihmuar rreth 4 000 gra dhe fëmijë, shumica e të cilëve tashmë gëzojnë jetë normale falë tyre.