Projekti i promovuar nga OSBE-ja për përshpejtimin e proceseve gjyqësore vihet në zbatim në gjykatat shqiptare
KORÇË, SHQIPËRI, 10 Shtator 2014 – Gjyqtarët e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë kanë përqafuar një projekt të mbështetur nga OSBE-ja që ka për synim të reduktojë vonesat në gjykim, pas rezultateve pozitive të arritura prej këtij projekti në një gjykatë tjetër në Shqipëri.
“Proceset e stërzgjatura gjyqësore po dëmtojnë besimin te drejtësia në Shqipëri. Projekti që po prezantojmë sot në Korçë ka të bëjë me garantimin e dhënies së menjëhershme të drejtësisë përmes masave konkrete për pakësimin e vonesave”, tha Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Florian Raunig.
Gjatë veprimtarisë pjesëmarrësve iu drejtuan edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, si dhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Projekti për Forcimin e Sistemit të Drejtësisë i USAID (JuST) e zhvilluan projektin Drejtësi pa vonesa pasi një studim i kryer nga Prezenca tregoi se pothuajse gjysma e seancave në gjykatat shqiptare ishin joproduktive. Projekti mori mbështetjen e fortë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe të Ministrisë së Drejtësisë.
Në Krujë, ku u zbatua fillimisht projekti pilot në shkurt të këtij viti, gjykatësit e reduktuan numrin mesatar të seancave në çështjet penale nga 8.8 në 1.8 përmes menaxhimit aktiv të çështjeve vetëm brenda tre muajve të parë. Gjithashtu, numri i çështjeve të mbyllura nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë gjatë kësaj kohe ishte 150% më i lartë se një vit më parë.
Gjatë fjalës së mbajtur në veprimtarinë e sotme, Ambasadori Raunig tha se zbatimi i suksesshëm i projektit varet nga angazhimi i gjithë palëve të përfshira. Ai shtoi se i njëjti bashkëpunim dhe angazhim i plotë janë thelbësorë për reformën në drejtësi. “Shqipëria ka nevojë për një reformë themelore të mënyrës se si funksionin sistemi i drejtësisë. Kjo reformë duhet të përfshijë të gjithë aktorët, duke përfshirë Ministrinë e Drejtësisë, Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Kuvendin”, tha ai.