Koordinatori kundër Korrupsionit i Shqipërisë prezanton Planin Kombëtar të Veprimit kundër Korrupsionit të hartuar me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së
TIRANË, 16 korrik 2014 – Ministri i Shtetit për Çështje Vendore dhe Koordinatori Kombëtar kundër Korrupsionit, Bledar Çuçi, dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri prezantuan sot Projektin e Planit Kombëtar i Veprimit kundër Korrupsionit për periudhën 2014-2017. Ky Plan Veprimi u hartua me mbështetjen dhe bashkëpunimin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.
Morën pjesë në këtë veprimtari rreth 70 përfaqësues të qeverisë dhe institucioneve të pavarura, shoqërisë civile, komunitetit të biznesit dhe organizatave ndërkombëtare. Shumë prej pjesëmarrësve u përfshinë aktivisht në hartimin e planit të veprimit ose morën pjesë në konsultimet e mbajtura për këtë qëllim.
“Korrupsioni pengon zhvillimin. Pasuritë publike devijohen në xhepat e individëve të korruptuar në vend që të përdoren për investime në transport, energji, mjedis, shëndetësi dhe arsim,” tha Kryetari i Prezencës së OSBE-së, Ambasadori Florian Raunig, duke prezantuar Planin e Veprimit. “Është e rëndësishme të harmonizojmë përpjekjet dhe të ndërmarrim veprime konkrete për ta minimizuar këtë dukuri, të dënojmë zyrtarët e korruptuar dhe të kthejmë besimin e publikut. Qytetarët shqiptarë gëzojnë të drejtën për një qeverisje transparente, llogaridhënëse dhe të drejtë.”
Ministri Çuçi vuri në dukje se Plani i Veprimit është një produkt i bashkëpunimit të frytshëm mes të gjitha institucioneve. “Por ky është vetëm fillimi i një procesi dinamik. Tashmë është koha për veprim, sepse të gjitha institucionet duhet të angazhohen për shndërrimin e këtyre masave në arritje të matshme me impakt të ndjeshëm jetësor për qytetarët shqiptarë,” tha ai. Ai i bëri thirrje shoqërisë civile për të qenë sa më aktive jo vetëm për vetëdijesimin e opinionit publik, por edhe për të luajtur rol monitorues ndaj performancës së institucioneve për të siguruar transparencë dhe llogaridhënie.
Projekti i Planit Kombëtar të Veprimit kundër Korrupsionit do t’i paraqitet Këshillit të Ministrave për aprovim.
Lufta kundër korrupsionit është një ndër prioritetet kryesore të Qeverisë shqiptare dhe përpjekjet në këtë drejtim kanë nisur tashmë me hartimin e Strategjisë Kombëtare kundër Korrupsionit 2014-2017, me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.
Projekt Plani i Veprimit përkon me secilën prej shtyllave mbajtëse të Strategjisë, të cilat janë parandalimi, çrrënjosja dhe ndërgjegjësimi, duke parashikuar një sërë masash konkrete për t’u zbatuar nga institucionet në nivel qendror dhe vendor në periudhën afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri i mbështet veprimtari si këto në kuadrin e ndihmës së vazhdueshme të saj për Shqipërinë me qëllim luftën kundër korrupsionit dhe rritjen e transparencës së qeverisjes dhe procesit politik në vend.