OSBE prezanton versionin shqip të manualit për praktikat më të mira në pikat e kalimit kufitar
Versioni shqip i një manuali për praktikat më të mira në pikat e kalimit kufitar, përgatitur nga OSBE-ja dhe Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara për Evropën, u prezantua më 4 tetor 2013, në Tiranë.
“Ne duhet të përpiqemi që kufijtë të jenë sa më të sigurt, por, njëkohësisht, ata duhet të jeni edhe sa më të hapur. Duke bashkëpunuar për ta bërë këtë të mundur, ne do të forcojmë stabilitetin në rajon. Kufijtë duhet të ndihmojnë në afrimin e njerëzve,” tha Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Florian Raunig.
Drejtorja e Administratës Doganore të Shqipërisë, Elisa Spiropali, gjithashtu theksoi nevojën për kufij të hapur dhe mirëpriti gatishmërinë e Prezencës për të dhënë trajnim dhe asistencë për çështjet e trajtuara në manual.
Në veprimtari morën pjesë edhe Zineb Touimi-Benjelloun, Koordinatore e Përhershme e Kombeve të Bashkuara dhe Përfaqësuese e Përhershme e PNUD-it në Shqipëri, si dhe Henry Jardine, zëvendësshef i misionit të ambasadës amerikane, e cila financoi përkthimin e manualit.
I botuar fillimisht në anglisht në vitin 2012, “Manuali i Praktikave më të mira në pikat e kalimit kufitar – këndvështrimi për lehtësimin e tregtisë dhe transportit” ofron një tablo të mjeteve dhe metodologjive që mund të përdoren për të harmonizuar dhe thjeshtuar procedurat ekzistuese në transportin e mallrave të ligjshme. Ai përmban mbi 120 shembuj të praktikave më të mira. Temat e trajtuara përfshijnë mjetet ligjore të disponueshme, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe atë midis agjencive, balancimin e masave siguruese dhe lehtësuese, përpunimin e ngarkesave të mallrave, menaxhimin e riskut, projektimin e pikave të kalimit të kufirit, përdorimin e teknologjisë së informacionit, menaxhimin e burimeve njerëzore dhe vlerësimin e performancës. Manuali u drejtohet ministrive të transportit dhe tregtisë, agjencive doganore, komuniteteve të biznesit që merren me ngarkesat e mallrave dhe logjistikën, shoqërisë civile dhe akademikëve.
Të gjitha versionet e manualit, në gjuhë të ndryshme, mund të shkarkohen nga //www.osce.org/eea/88200