Prezenca e OSBE-së mbështet veprimtaritë kundër dhunës në familje, prezanton botimin për viktimat e dhunës në familje

Prezenca e OSBE-së mbështet veprimtaritë kundër dhunës në familje, prezanton botimin për viktimat e dhunës në familje
Ekspertët e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri për të drejtat e njeriut morën pjesë në një forum për dhunën në familje me studentë të Universitetit Evropian të Tiranës, më 26 shtator 2013.
Ekspertët e Prezencës zhvilluan një diskutim ndëraktiv me studentët rreth aspekteve sociale, psikologjike dhe ligjore të problemit. Studentët morën pjesë aktivisht në diskutim, meqenëse pothuajse që të gjithë njihnin dikë që ishte prekur nga dhuna në familje.
Veprimtaria ishte pjesë e një sërë forumesh të organizuara në kuadrin e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut, që po zhvillohet këtë javë në Tiranë, nga Akademia e Filmit dhe Multimedias Marubi, me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së dhe organizatave të tjera vendase dhe ndërkombëtare.
Në fjalimin e tij në hapje të Festivalit, Kryetari në Detyrë i Prezencës së OSBE-së, Robert Wilton, e përshkroi dhunën në familje si një çështje të ngutshme të të drejtave të njeriut në Shqipëri: “Dhuna në familje nuk mund të adresohet vetëm me mjete ligjore. Kjo nuk është vetëm punë e policisë dhe gjykatave. Duhet ta ndryshojmë mentalitetin që e pranon dhunën ndaj grave dhe fëmijëve. Duhet të mos e pranojmë aspak idenë se tradita apo kultura i bën disa sjellje të papranueshme disi më të natyrshme. Kultura e heshtjes duhet të marrë fund, tani.”
Si pjesë të veprimtarive të saj për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Prezenca publikoi edhe një version të përditësuar të manualit “Si të kërkojmë mbrojtje nga dhuna në familje”. Ky manual ofron informacione të rëndësishme për viktimat lidhur me mënyrën e marrjes së mbrojtjes dhe drejtësisë.
Sipas statistikave të policisë, gjatë vitit të kaluar, 28 persona në Shqipëri, shumica gra, humbën jetën si pasojë dhunës në familje.