Grupi Ndërkombëtar i Punës për Zgjedhjet takon shoqërinë civile
Një shoqëri civile e fortë, aktive dhe e pavarur është thelbësore për ruajtjen e demokracive të shëndetshme. Zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 shënojnë një moment të rëndësishëm për shoqatat e shoqërisë civile për të luajtur një rol vendimtar në vëzhgimin e zgjedhjeve, identifikimin dhe denoncimin e parregullsive të mundshme tek institucionet përkatëse dhe në rritjen e transparencës dhe barazisë në procesin zgjedhor.
Në këtë kontekst, më 1 nëntor 2024, Prezenca e OSBE-së organizoi një takim informues të “Grupit Ndërkombëtar të Punës për Zgjedhjet” me disa nga shoqatat kryesore të shoqërisë civile, që punojnë në mënyrë aktive në çështjet zgjedhore.
Këto shoqata informuan përfaqësuesit e Shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe të organizatave ndërkombëtare në Shqipëri mbi pikëpamjet e tyre për mjedisin aktual zgjedhor, sfidat me të cilat përballen dhe ndanë perspektivat e tyre që synojnë t'i bëjnë zgjedhjet e ardhshme më të drejta, gjithëpërfshirëse dhe aksesueshme për komunitete të ndryshme.
Shoqatat shprehën shqetësimet e tyre lidhur me përpjekjet e fundit për reformën zgjedhore, duke i përshkruar ato si të pamjaftueshme për adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe të shoqërisë civile. Gjithashtu, ato vunë në pah sfidat specifike, të përsëritura, për zgjedhjet, të cilat, nëse nuk adresohen, mund të rishfaqen në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2025.
Një theks i veçantë nga të gjithë pjesëmarrësit u vu në nevojën e forcimit të bashkëpunimit dhe mbështetjes për një angazhim kuptimplotë të shoqërisë civile në proceset e ardhshme zgjedhore.
Grupi Ndërkombëtar i Punës për Zgjedhjet është një forum i krijuar me nismën e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, i cili mblidhet periodikisht për të shkëmbyer informacione dhe për të bashkërenduar qëndrimet dhe ndihmën për çështjet zgjedhore.