Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizon Forumin e 10-të vjetor për Zhvillimin e Medias
Përfaqësues të medias, institucioneve publike, bota akademike dhe shoqëria civile u mblodhën në Forumin e 10-të vjetor të Zhvillimit të Medias, të organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, një ngjarje kyçe e fokusuar në të ardhmen e lirisë dhe integritetit të medias në vend.
Ambasadori Michel Tarran, Kryetar i Prezencës së OSBE-së, hapi forumin me angazhimin për të nxitur një dialog të strukturuar midis institucioneve të Shqipërisë dhe sektorit të medias. Ai tha: “Në bazë të diskutimeve të vitit të kaluar, Prezenca e OSBE-së është e gatshme dhe mbetet e përkushtuar për të mbështetur dialogun e strukturuar ndërmjet institucioneve të Shqipërisë dhe sektorit të saj mediatik. Për këtë qëllim, ne shfrytëzojmë jo vetëm burimet që kemi në dispozicion në Prezencën e OSBE-së, por edhe nga grupi më i gjerë i institucioneve të OSBE-së që janë të specializuara në çështjet e demokratizimit dhe të medias. Ne besojmë se ky dialog do të nxisë një mjedis më bashkëpunues, ku zyrtarët publikë dhe profesionistët e medias mund të punojnë së bashku për të forcuar lirinë e shtypit dhe për të gjetur zgjidhje që funksionojnë në kontekstin shqiptar”.
Në hapje të forumit foli edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, si edhe Drejtori i Zyrës së Përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e Medias Philippe Tremblay, përmes një videomesazhi.
Në forum u diskutua mbi ndërthurjen e politikës së medias dhe sigurisë së gazetarëve, duke nënvizuar rëndësinë e përafrimit me standardet evropiane, dhe mënyrat se si të përmirësohet mbrojtja për gazetarët. Pjesëmarrësit theksuan nevojën për reforma të vijueshme për të forcuar peizazhin mediatik dhe përpjekjet e vazhdueshme për komunikimin e mëtejshëm ndërmjet medias dhe institucioneve qeveritare.
Në fokus të forumit ishte edhe gjendja aktuale e pronësisë së medias në Shqipëri dhe ndikimi i saj në pavarësinë e gazetarisë. Përqendrimi në rritje i pronësisë së medias ngriti shqetësime për paanshmërinë e informacionit që merr publiku, me diskutime të përqendruara në strategjitë për të promovuar transparencën dhe pluralizmin mediatik.
Marrëdhënia mes medias dhe gjyqësorit ishte një tjetër temë e rëndësishme. Pjesëmarrësit eksploruan mënyra për të përmirësuar komunikimin dhe bashkëpunimin midis gazetarëve dhe autoriteteve gjyqësore, duke synuar të nxisin një mjedis më mbështetës për raportim të saktë.
Duke bashkuar aktorë të ndryshëm, Forumi i Zhvillimit të Medias synoi të rrisë bashkëpunimin midis institucioneve publike, organizatave të medias dhe shoqërisë civile, duke punuar përfundimisht drejt një mjedisi mediatik më të gjallë e të sigurt në Shqipëri.