Progres në ditën e zgjedhjeve, por disa probleme mbeten, thonë vëzhguesit në Shkup
Shkup, 6 prill 2009 – Rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale dhe komunale në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, që u mbajt ditën e diel, përmbushi shumicën e përkushtimeve dhe standardeve të OSBE-së dhe Këshillit të Evropës për zgjedhje demokratike, edhe pse disa nga çështjet e identifikuara në rrethin e parë, përfshirë raportimet e besueshme për frikësim, paraqesin arsye për brengë më të madhe, thanë vëzhguesit ndërkombëtar në një deklaratë të shpallur sot.
“Ishim të kënaqur të shohim ambient të qetë dhe ditë të zgjedhjeve që u administrua në mënyrë të duhur, edhe pse disa aspekte të periudhës së fushatës në mënyrë serioze devijuan nga kualiteti i përgjithshëm i procesit zgjedhor,” tha Pitër Ajker, Shef i Misionit të OSBE/ODIHR-së për vëzhgimin e zgjedhjeve.
“Procesi i votimit dukshëm u përmirësua nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2008,” tha Jorgen Pulsen, Anëtar i Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës. “Presidenti dhe partia më e madhe duhet të bartin përgjegjësinë për të krijuar proces politik që është përfshirës dhe për të zgjidhur çështjet tjera të theksuara në procesin zgjedhor.”
Në periudhën parazgjedhore për rrethin e dytë, shumica e kandidatëve dhe partive politike shprehën përkushtimin e tyre të vazhdueshëm drejt sigurimit të zgjedhjeve të qeta dhe demokratike. Përskaj disa tensioneve, posaçërisht në garrat e ngushta për kryetar komunash, situata mbeti e qetë gjatë tërë përiudhës së fushatës. Megjithatë, raportimet për presion dhe frikësim të votuesve vazhduan të zbehin vlerësimin në përgjithësi pozitiv të misionit për vëzhgimin e zgjedhjeve.
Procesi i votimit në përgjithësi vajti në rregull, edhe pse kishte disa parregullsi procedurale. Votimi familjar mbeti edhe më tej si problem, por dukshëm u reduktua në rrethin e dytë. Jehona më e ulët e votuesve për zgjedhjet presidenciale demonstroi rrezik që kërkesa për 40 përqind të daljes së domosdoshme të votuesve mund të rezultojë me zgjedhje të dështuara në të ardhmen, e posaçërisht kur kombinohet me problemet në lidhje me regjistrin e votuesve.
Zyra e OSBE-së për institucione demokratike dhe të drejta të njeriut (OSBE/ODIHR), që shpërndau 170 vëzhgues nga 30 vende për rrethin e dytë të zgjedhjeve, përfshirë 40 vëzhgues afatgjatë dhe analistë, dhe 132 vëzhgues afatshkurtër, publikoi një deklaratë të përbashkët të hënën me Asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës, që emëroi Jorgen
Pulsen si përfaqësues të Asamblesë për rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.
Për informata më të hollësishme kontaktoni:
• Tomas Rajmër, OSBE/ODIHR, mobil: (+48 609 522 266); ose z. Dru Hajsllop, OSBE/ODIHR Këshilltar për zgjedhje, në Varshavë (+48 22 520 0600);
• Artjemij Karpjenko, Asamblea parlamentare e Këshillit të Evropës, mobil: (+33 671 152 911).