Misioni i OSBE-së në Kosovë mban edicionin e katërt të Akademisë së të Rinjve
Edicioni i 4-të i Akademisë së të Rinjve i Misionit të OSBE-së në Kosovë u mbajt nga 11 deri më 14 tetor 2022, me pjesëmarrjen e rreth 60 të rinjve nga komunitete dhe fusha të ndryshme.
Programi katërditor kishte si synim që të ndihmonte të rinjtë të marrin rol më të madh në ndryshimet e vazhdueshme në shoqëri dhe të angazhohen në mekanizmat vendimmarrës dhe politikbërës. Ai përfshinte sesione interaktive me tema si edukimi për të drejtat e njeriut, mosdiskriminimi dhe barazia, trashëgimia kulturore dhe të drejtat e komuniteteve. Pjesëmarrësit vizituan edhe objekte të trashëgimisë kulturore dhe fetare në qendrën historike të Prizrenit, dhe ndoqën ligjërata nga drejtues të institucioneve për të drejtat e njeriut dhe aktivistë të rinj mbi përvojat, iniciativat dhe ndikimin e tyre.
Më pas, pjesëmarrësit punuan në grupe për të përvijuar ide për projekte në tema si barazia gjinore, dhuna në familje, të drejtat e komuniteteve dhe tejkalimi i barrierave gjuhësore, të cilat i paraqitën para panelit të jurisë dhe do t'i zbatojnë më vonë në komunitetet e tyre lokale.