Misioni i OSBE-së ndihmon agjencitë e zbatimit të ligjit ta luftojnë korrupsionin e brendshëm
Një ceremoni diplomimi për 21 zyrtarë të lartë të policisë, doganës, Inspektoratit Policor, Zyrës së Prokurorit Special dhe gjyqësorit të cilët morën pjesë në një trajnim pesëditor për luftimin e korrupsionit brenda vetë këtyre agjencive, i organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, u mbajt më 25 nëntor 2011 në Vushtrri.
Trajnimi për identifikim efektiv dhe hetim të korrupsionin gjithashtu u shfrytëzua si një rast për të përmirësuar raportet ndërmjet agjencive duke shkëmbyer përvojat dhe praktikat më të mira.
“Korrupsioni është një dukuri e rrezikshme që ka një ndikim të dëmshëm te të gjithë, në shoqëri dhe institucione dhe mbetet një sfidë serioze për zhvillimin demokratik në Kosovë”, tha Carsten Twelmeier, Drejtor i Departamentit për Siguri Publike në Misionin e OSBE-së në Kosovë.
“Misioni i OSBE-së, institucionet dhe organizatat ndërkombëtare të pranishme në Kosovë e kanë identifikuar luftën kundër korrupsionit si pjesë thelbësore e luftimit të krimit të organizuar. Trajnimi është një hap që mundëson ndërtimin e kapaciteteve të sektorit të zbatimit të ligjit për të themeluar organet kundër korrupsionit dhe përmirëson transparencën dhe llogaridhënien publike”, tha Twelmeier.
Trajnimi gjithashtu përfshiu një simulim të hetimit ku pjesëmarrësit u morën me aspekte që kanë të bëjnë me hetimin e korrupsionit siç janë përdorimi i agjentit, metodat mbuluese, mbajtja e të dhënave dhe çështjet dëshmuese. Ata gjithashtu mësuan për metodat e zvogëlimit të korrupsionit përmes përdorimit të metodave strategjike parandaluese, siç është procesi i verifikimit.
Misioni i OSBE-së punon për zhvillimin e trajnimeve për policinë dhe agjencitë tjera për zbatim të ligjit në Kosovë.