Misioni i OSBE-së në Kosovë trajnon avokatët në marrjen e tërthortë në pyetje
Nga data 4 deri 7 nëntor 2014, Misioni i OSBE-së në Kosovë ka trajnuar 68 avokatë në temën teknikat e marrjes së tërthortë në pyetje, në sesione trajnuese të mbajtura në Prishtinë dhe Prizren.
Marrja e tërthortë në pyetje është koncept relativisht i ri në Kosovë, që rrjedh nga kalimi në sistemin akuzator të procedurës penale dhe kodin e procedurës penale që ka hyrë në fuqi në janar 2013.
“Trajnimi më ka dhënë një pasqyrë të shkëlqyer të teknikave të marrjes së tërthortë në pyetje. Do të përpiqem që ato teknika t’ua përshtati rasteve të mia në gjykata, në pajtim me kodin e procedurës penale,” tha Rasim Krasniqi, avokat nga Prizreni dhe një nga pjesëmarrësit e trajnimit.
Pjesëmarrësit e trajnimit, të gjithë anëtarë të Odës së Avokatëve të Kosovës, deklaruan se sesionet e ngjashme trajnuese do të ishin të dobishme edhe për gjyqtarë dhe prokurorë.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve, demokratizimin, dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike.
Misioni mbështet gjyqtarë, prokurorë dhe avokatë në arritjen e pajtueshmërisë më të lartë me rregullat procedurale në çështjet civile, penale dhe administrative.