Kryesuesi i OSBE-së Daçiç ofron mbështetje për reformat gjatë vizitës në Misionin e OSBE-së në Shkup
SHKUP, 18 shkurt 2015 – Kryesuesi i Radhës i OSBE-së dhe Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç premtoi mbështetje për ndërtimin e demokracisë dhe promovimin e reformave gjatë vizitës së sotme në Misionin e OSBE-së në Shkup, i shoqëruar nga Komisionerja e Lartë e OSBE-së për Pakica Kombëtare Astrid Thors.
Duke theksuar angazhimet e OSBE-së, Daçiç premtoi mbështetjen për përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike, zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, përforcimin e sundimit të ligjit, si dhe për reformat në fusha të ndryshme të përkrahura nga Misioni. Gjatë vizitës është diskutuar gjithashtu Strategjia e qeverisë për arsimin e integruar dhe rëndësia e saj për marrëdhëniet ndëretnike.
Daçiç vlerësoi punën e Misionit në Shkup dhe mbështetjen e çmuar që ofron për qeverinë lidhur me përparimin e reformave demokratike. “Serbia e di drejtpërdrejt vlerën e një Misioni të OSBE-së, si dhe mbështetjen dhe këshillat që ajo ofron për reformat demokratike dhe integrimin e pakicave kombëtare dhe etnike në jetën publike. Puna e OSBE-së në vend duhet të shfrytëzohet në maksimum.”
Vendet e rajonit luajnë rol në nxitjen e bashkëpunimit reciprok dhe përforcimin e marrëdhënieve ndëretnike në Evropën Juglindore, tha Daçiç. “Përmirësimi i kushteve të jetesës në rajon është qëllimi ynë i përbashkët. Rindërtimi i mirëbesimit për krijimin e një agjende pozitive për të ardhmen është parimi udhëheqës i Kryesisë së Serbisë. Ne duhet të vazhdojmë përforcimin e respektit, besimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë. Respektimi i të drejtave të njeriut, tolerancës dhe mos-diskriminimit mbetet në krye të agjendës sonë,” tha ai.
Shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, Ambasadori Ralf Breth, tha: “Misioni i mbështet plotësisht përpjekjet që synojnë zbatimin e reformave të nevojshme, duke hapur rrugën e vendit drejt strukturave euro-atlantike. Angazhimet që rrjedhin nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit mbeten në thelb të mandatit dhe veprimtarisë së Misionit.”
Gjatë vizitës Daçiç u takua me presidentin Gjorge Ivanov, kryeministrin Nikolla Gruevski, zëvendëskryeministrin Musa Xhaferri, Ministrin e Punëve te Jashtme Nikola Poposki, si dhe Ministrin e Arsimit dhe Shkencës Abdilaqim Ademi.
Misioni i OSBE-së në Shkup është i treti të cilin e vizitoi Daçiç. Ai planifikon të vizitojë të gjitha misionet e OSBE-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor.