Redaksia e lajmeve
News and press releases
Lajme dhe deklarata për shtyp nga veprimtaritë globale të OSBE-së
Misioni i OSBE-së në Kosovë finalizon themelimin e Mekanizmave Koordinues kundër Dhunës në Familje në mbarë Kosovën me formalizimin e mekanizmit të fundit në Rahovec
Publishing date: 24 maj 2024
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka mbështetur sot nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit për formalizimin e Mekanizmit Koordinues kundër Dhunës në Familje (MKKDHF) në komunën e Rahovecit. MKKDHF në Rahovec është mekanizmi i fundit që themelohet – shumica e të cilëve janë themeluar me përkrahje të OSBE-së, dhe shënon përfundimin e procesit të themelimit të tyre në mbarë Kosovën, me të gjitha 38 komunat tani të mbuluara nga mekanizma funksional. Ligji i miratuar së fundmi për Dhunën në Familje vendos bazën ligjore për mekanizmat, duke kërkuar që të gjitha komunat të krijojnë dhe të ofrojnë fonde adekuate për MKKDHF-të. “Lufta kundër dhunës në familje kërkon përfshirjen dhe koordinimin e të gjithë akterëve relevant në nivelin lokal- nga sektori i drejtësisë, policia, strehimoret dhe shoqëria civile,” tha Mark Lasser, Shef i Njësisë për Ligj dhe Drejtësi në Misionin e OSBE-së në Kosovë gjatë ceremonisë së nënshkrimit sot. “Në linjë me mandatin tonë për ndërtimin e institucioneve dhe përkushtimin për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ne premtojmë përkrahje për MKKDHF-të në punën e tyre të rëndësishme,” shtoi ai. Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, vlerësoi mbështetjen e Misionit të OSBE-së dhe shprehu përkushtimin e komunës për të mbështetur punën e MKKDHF-ve në koordinimin e politikave për luftimin e dhunës në familje në nivel lokal. Nënshkruesit e Memorandumit të Mirëkuptimit për funksionalizimin e MKKDHF-ve përfshijnë përfaqësues të gjykatave dhe prokurorive, komunave, Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, Policisë së Kosovës, Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, qendrave për punë sociale, qendrave për shëndetin mendor, qendrave të shëndetit familjar, strehimoreve për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje dhe anëtarë të shoqërisë civile. Anëtarët e MKKDHF-ve punojnë së bashku për të forcuar bashkërendimin, shkëmbimin e informatave dhe angazhimin në nivel lokal në luftën kundër dhunës në familje, duke ndjekur hapa konkretë për të përmirësuar parandalimin, forcimin e mbrojtjes, trajtimin dhe ri-integrimin e viktimave. Ata luajnë rol të rëndësishëm edhe në rritjen e ndërgjegjësimit për dhunën në familje dhe shërbimet në dispozicion të viktimave, si dhe në fuqizimin e viktimave për të raportuar këto krime. Për të ndihmuar në rritjen e efikasitetit të MKKDHF-ve, Misioni i OSBE-së në Kosovë publikoi në vitin 2023 Udhëzues për MKKDHF-të, një publikim praktik për të kuptuar më mirë rolet dhe përgjegjësitë e anëtarëve të tyre. Misioni mbetet i përkushtuar në mbështetjen e komunave për të përmirësuar ndihmën për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, për të lehtësuar zbatimin e kornizës ligjore dhe për të përmirësuar koordinimin ndër-institucional.
Pjesëmarrësit e Programit të OSBE-së për gazetarë të rinj “Media Fellowship” 2024 vizitojnë institucionet e mediave dhe mediat në Prishtinë e Beograd
Publishing date: 20 maj 2024
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
What we do: Liria dhe zhvillimi i medias
Tetë gazetarë nga media në gjuhë të ndryshme në Kosovë, pjesë e edicionit të gjashtë të Programit të OSBE-së për gazetarë të rinj “Media Fellowship” mbi standardet e gazetarisë profesionale dhe raportimin etik, përfunduan një vizitë studimore pesë-ditore në institucionet e mediave dhe media në Prishtinë dhe Beograd. Nga 13 deri më 18 maj 2024, gazetarët vizituan një sërë institucionesh mediale, shoqata gazetarësh, organe vetërregulluese, si dhe organizata mediale private dhe publike. Këto vizita në terren u mundësuan pjesëmarrësve të vlerësojnë ngjashmëritë dhe sfidat në edukimin dhe informimin medial, verifikimin e fakteve, rreziqet e paraqitura dhe mundësitë e ofruara nga inteligjenca artificiale dhe zhvillime të tjera në ekosistemin medial. Gazetarët u takuan edhe me shefin e Misionit të OSBE-së në Serbi, Jan Braathu, i cili i informoi ata për punën e Misionit në industrinë e mediave dhe rolin e tyre në hartimin e Strategjisë për Media dhe Planin e saj të Veprimit. “Përmes Programit për gazetarë të rinj “Media Fellowship”, kemi parë rolin jetik që luan dialogu dhe bashkëpunimi mes gazetarëve në përforcimin e standardeve gazetareske, raportimin e përgjegjshëm dhe më e rëndësishmja në ndryshimin e narrativave të së kaluarës. Me nxitjen e një mjedisi të mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë, ne mund t'i adresojmë më mirë sfidat me të cilat përballet peizazhi medial si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd”, tha Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë. Si pjesë e programit, pjesëmarrësit do të dorëzojnë storie që reflektojnë përvojat e tyre nga vizita, duke kontribuar më tej në diskursin mbi praktikat mediatike në rajon. Gazetarët e përzgjedhur për Programin e këtij viti janë: Adelina Ahmeti (Kallxo.com), Antigonë Isufi (Prishtina Insight), Arbreshë Uka (Klan Kosova TV), Biljana Vllashkoviq (KoSSev), Edona Vuçitërna (Klan Kosova TV), Rrezon Gashi (KOHA), Sandra Dobriq (Kontakt Plus) and Predrag Peroviq (Radio Kosovska Mitrovica). Ata do të jenë pjesë e një programi të ngjashëm edhe në Podgoricë e Tiranë në shtator të vitit 2024. Nisur në vitin 2017, me një ndërprerje dyvjeçare gjatë pandemisë, programi “Media Fellowship” kultivon talentin e gazetarëve vendorë, duke promovuar barazinë gjinore. Ai vazhdon të shërbejë si mundësi për të forcuar marrëdhëniet mes gazetarëve nga komunitete të ndryshme, si dhe për të shtuar njohuritë e tyre për mënyrën se si funksionon media në rajon.
Konkurs komik: Jepi një shans përfshirjes!
Publishing date: 20 maj 2024
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Shkup
What we do: Rinia, Toleranca dhe mosdiskriminimi
Më shumë se 250 artist të rinj komik garuan për një vend në katalogun dhe ekspozitën e Qendrës komike e cila do të mbahet këtë verë, që synon të krijojë komikë që promovojnë mirëkuptim ndëretnik në Maqedoninë e Veriut. Përmes partneritetit me organizatat e shoqërisë civile në vend (OSHC), siç është Qendra komike, Misioni i OSBE-së në Shkup avancon nismat e shtytura nga komuniteti për të ndërtuar një shoqëri më gjithëpërfshirëse. Fondi i Arteve Ndërkulturore Rinore (FANR) i Misionit, komponentë i projektit “Ndërtojmë Ura të Reja”, fuqizon të rinjtë me prejardhje të ndryshme etnike për të luftuar diskriminimin përmes shprehjes artistike. Me përmbylljen e thirrjes së tretë për aplikacione për grantet e FANR nga ana e OSHC-ve këtë muaj, Misioni pretë të punojë ngushtë me organizatat e përzgjedhura. Një fitues i dukshëm i grantit të FANR është Qendra komike nga Velesi dhe projekti i tyre "Gjithçka që po themi është t’i japim një shans përfshirjes!". Përmes punëtorisë arsimore katërditore të zhvilluar në prill në fshatin Nezhilovo, dymbëdhjetë të rinj të talentuar me prejardhje të ndryshme etnike dhe gjeografike i rafinuan aftësitë e tyre nën drejtimin e mentorëve me përvojë. Punëtoria komike eksploroi tema të miqësisë që kapërcejnë kufijtë kulturorë. Kontributet e përzgjedhura nga punëtoria do të publikohen në një katalog komik, me plan të mbajtjes së pesë ekspozitave në të gjithë vendin për të paraqitur talentet e artistëve të rinj. Qendra komike, e themeluar në vitin 2011 nga një grup i artistëve të pasionuar komik nga Velesi, ka luajtur një rol të rëndësishëm në promovimin e komikëve nga Maqedonia e Veriut si brenda dhe jashtë vendit. Përzgjedhja e tyre për të fituar grantin e FARN nënvizon përkushtimin e tyre për të përdorur artin si mjet për ndryshim shoqëror. OSHC-të të tjera që marrin pjesë në nismën “Ndërtojmë Ura të Reja” punojnë me produksione teatrore, podkaste, murale, filma, vallëzime tradicionale, dhe grupe muzikore. Çdo projekt kontribuon për objektivën e Misionit për të nxitur dialogun dhe kohezionin social midis komuniteteve të ndryshme në Maqedoninë e Veriut.
Misioni i OSBE-së në Kosovë përmbyll edicionin e gjashtë të Akademisë së të Rinjve
Publishing date: 17 maj 2024
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
What we do: Të drejtat e njeriut, Arsimi, Rinia
Misioni i OSBE-së përmbylli sot në Prishtinë edicionin e gjashtë të Akademisë së të Rinjve, duke shënuar kështu kulminacionin e një rrugëtimi transformues për 49 të rinj nga fusha e komunitete të ndryshme nga mbarë Kosova. Gjatë pesë ditëve sa zgjati Akademia, këta pjesëmarrës të motivuar ishin pjesë e sesioneve të punëtorive mbi menaxhimin e ciklit të projekteve, diskutimeve në panel dhe ushtrimeve praktike në grup me tema të tilla si të drejtat e komuniteteve, sundimi i ligjit, të drejtat pronësore dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore. Ata u thelluan po ashtu në rolin e tyre si të rinj në avancimin e të drejtave të njeriut, vizituan objektet kulturore dhe fetare dhe morën pjesë në sesionet “World Café” për të drejtat e grave dhe kontributin e të rinjve në diversitet e gjithëpërfshirje, me folës nga institucionet, organizatat e shoqërisë civile dhe bota akademike, si dhe vizituan objekte të trashëgimisë kulturore dhe fetare. “Një pjesë e madhe e punës sonë gjatë këtyre 25 viteve fokusohet në të drejtat e njeriut, përfshirjen e të rinjve në aktivizëm për të drejtat e njeriut, si dhe angazhimin e vetë të rinjve”, tha Kavya Rajan, Drejtuese e Departamentit për të Drejta të Njeriut dhe Komunitete në kuadër të Misionit të OSBE-së në Kosovë. “Këto janë edhe synimet thelbësore të Akademisë sonë për të Rinjtë, me synim përfundimtar fuqizimin e të rinjve dhe krijimin e një rrjeti aktivistësh për të drejta të njeriut. Ishte frymëzuese të shihje pjesëmarrësit tanë teksa i zbatonin parimet e diversitetit, mospajtimit konstruktiv, por edhe këmbimeve mendjehapura në ndërveprimet e tyre gjatë këtyre ditëve,” shtoi ajo. Për pjesëmarrësin Enes Topalli, trajnimet dhe diskutimet në të cilat mori pjesë do ta ndihmojnë atë si avokat i ardhshëm. “Diskriminimi dhe të drejtat e njeriut në përgjithësi ishin temat që më interesonin më së shumti. Ne mësuam shumë nga njëri-tjetri, respektuam perspektivat e njëri-tjetrit, ndërsa kjo do të më ndihmojë të zhvillohem si person, por edhe në aspektin profesional, dhe këtu qëndron bukuria e Akademisë së të Rinjve”, tha ai, duke shtuar se ka takuar të rinj nga komunitete të ndryshme dhe janë argëtuar shumë së bashku. Misioni angazhoi edhe ekspertë të rinj nga programet e veta, si Grupi i Trajnuesve dhe Rjeti Alumni i Akademisë së Dialogut, disa prej tyre ish-pjesëmarrës të Akademisë së të Rinjve, duke siguruar kështu zhvillimin e tyre të vazhdueshëm dhe modelin pozitiv për pjesëmarrësit e këtij viti. Edicioni i gjashtë përfundoi me prezantimin e ideve për projekte nga vetë pjesëmarrësit, të cilat reflektonin kreativitetin dhe përkushtimin e tyre për ndryshime pozitive dhe veprime konkrete. Misioni i OSBE-së do t'i shqyrtojë këto ide për përkrahje të mundshme, dhe do të vazhdojë bashkëpunimin me të rinjtë përmes zbatimit të tyre, shkëmbimit të mundësive të ardhshme për aktivizm në të drejtat e njeriut, si dhe angazhimit të ish-pjesëmarrësve të Akademisë së të Rinjve në edicionet e ardhshme të Akademisë si trajnerë.
Institucionet e Kosovës të ofrojnë qasje të barabartë në banim social për të gjitha komunitetet e cenueshme, rekomandon raporti i Misionit të OSBE-së
Publishing date: 16 maj 2024
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
What we do: Të drejtat e njeriut, Mirëqeverisja, Sundimi i ligjit
PRISHTINË, 16 maj 2024 – Misioni i OSBE-së ka publikuar sot raportin tematik “Vlerësimi i banimit social dhe ndërtimit të banesave sociale në Kosovë 2018 – 2023” që shqyrton situatën rreth banimit social në 34 komuna në Kosovë në gjashtë vitet e fundit.
Zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut ishin konkurruese dhe votuesit ishin të informuar mirë, megjithëse procesi mbetet i rregulluar në mënyrë të pamjaftueshme, thonë vëzhguesit ndërkombëtarë
Publishing date: 9 maj 2024
Content type: Komunikatat për shtyp
Where we are: OSCE Office for Democratic Institutions and Human Rights
What we do: Zgjedhjet
SHKUP, 9 maj 2024 – Balotazhi presidencial dhe zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut ishin konkurruese dhe një fushatë e gjerë dhe pluraliste i ndihmoi votuesit të bënin një zgjedhje të informuar, por të dëmtuara nga retorika negative me slogane nacionaliste, si dhe mangësi në legjislacion dhe mbikëqyrje të pamjaftueshme të financave të fushatës, thanë vëzhguesit ndërkombëtarë në një deklaratë të sotme.
OSBE-ja dhuron mjete kundër zjarrit për zonat e mbrojtura në Shqipëri
Publishing date: 3 maj 2024
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
Kryetarja në Detyrë e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Clarisse Pasztory, u dorëzoi administratave rajonale të zonave të mbrojtura të Kukësit dhe Dibrës mjete kundër zjarrit në natyrë, gjatë një ceremonie që u zhvillua në Peshkopi, më 3 maj 2024. “Ruajtja e zonave të mbrojtura, si ajo Korab-Koritnik, është një synim dhe angazhim i përbashkët. Ka shumë që ia vlen të mbrojmë këtu: mjedisin, njerëzit që jetojnë këtu dhe njerëzit që vijnë për të vizituar e për t’u rigjallëruar,” tha Pasztory. Në veprimtari, morën pjesë edhe zëvendësministri i Brendshëm Besfort Lamallari, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare Mbrojtur Daniel Pirushi, autoritetet vendore dhe zyrtarë nga Zyra e Koordinatorit të OSBE-së për Veprimtaritë Ekonomike dhe Mjedisore (OCEEA). Pajisjet- të blera në kuadër të projektit pilot të OSBE-së “Zonat e mbrojtura rezistente ndaj zjarrit: malet e Sharrit dhe zona e masivit të Korabit”- përbëhen nga një sistem zjarrfikës i motorizuar, ventilator ajri me energji elektrike, pompa shpine, mjete shumëfunksionale, fshesa zjarri, pishtar dore-flakëlëshues dhe kostume kundër zjarrit për 20 zjarrfikës. Projekti synon të përmirësojë menaxhimin e zjarrit në natyrë dhe përfshirjen e komunitetit në përpjekjet për parandalimin e zjarrit. Projekti mbështeti zhvillimin e një studimi paraprak për adresimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë të lidhura me klimën, i cili identifikoi zjarret si një nga rreziqet e sigurisë. Duke u bazuar te ky studim, projekti mbështeti hartimin e një strategjie të përbashkët bashkëpunimi për ndryshimet klimatike dhe sigurinë në malet e Sharrit dhe në zonën e masivit të Korabit, si edhe planin e zbatimit të saj. Projekti pilot zbatohet në kuadër të projektit të OSBE-së me fonde jashtëbuxhetore “Forcimi i përgjigjeve ndaj rreziqeve të sigurisë nga ndryshimet klimatike në Evropën Juglindore, Evropën Lindore, Kaukazin e Jugut dhe Azinë Qendrore”.